“Rruga drejt Prespës”
Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme
Rruga drejt Prespës është konceptuar si promotor dhe nxitës i mendimit pozitiv në zhvillimin një dialogu të sinqertë dhe gjithëpërfshirës ndërmjet vendeve dhe popujve të rajonit. E kaluara është e rëndësishme, për të na mësuar që të mos i përsërisim gabimet, por jo edhe për të na verbuar. Neve na nevojitet një kulturë e re strategjike, e cila ndërmjet barrës së të kaluarës që na ndan, t’i jep përparësi të ardhmes që na bashkon. E pranoj, koha në të cilën jetojmë është po aq e vështirë dhe e paparashikueshme sa edhe e paraardhësve tanë, por sot ne jemi më të pjekur. Rruga që kemi vendosur ta ndjekim na është e njohur, ndërsa qëllimi drejt të cilit synojmë është i qartë. Sot kemi modele suksesi që mund ta menaxhojnë mosbesimin, dallimet dhe traumat historike që shpesh krijojnë paparishikueshmëri, edhe atë, përmes një uniteti komplementar i cili zhvillon një sinergji të fortë të materializuar në zhvillim ekonomik, paqe, harmoni dhe mirëqenie. Ky shembull është Evropa e bashkuar e njohur si Bashkimi Evropian.
Kjo rrugë është e dëshmuar dhe e sigurt, por sado që të na duhen shembuj të mirë, ata nuk duhet vetëm t’i kopjojmë – neve na nevojitet rrugë e jonë vetanake, e cila do t’i ketë parasysh veçantitë e saja rajonale, për ta ndërtuar modelin tonë autentik.
Rajonit si asnjëherë më parë i nevojiten ide të freskëta, narrativ i ri për bashkëpunim rajonal, siguri dhe stabilitet, me qëllim që më lehtë të ballafaqohemi me sfidat e quajtura rruga drejt BE-së .
Qëllimi kryesor i Forumit të Prespës për Dialog është që ta avancojë modelin e miratuar nga Maqedonia e Veriut – model për ndërtimin e urave, marrëdhënieve të mira fqinjësore, kultivimin e kulturës së miqësisë, besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Forumi është paraparë si vend për biseda të hapura dhe për zgjidhje, që vendet e rajonit tonë, të kenë mundësi për t’i dëshmuar aftësitë dhe përkushtimin e tyre në bashkëpunim rajonal, në stabilitet dhe siguri.
Ideja për krijimin e Forumit të Prespës për Dialog nuk është as pa bazë e as pa mbështetje empirike. Ajo bazohet në një platformë dhe strategji të ndërtuar mbi tri shtylla, të pasqyruara në tri marrëveshjet që Maqedoninë e Veriut e bëjnë një shembull unik në rajonin më të gjerë: në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të nënshkruar me Republikën e Bullgarisë në vitin 2017 dhe Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar me Republikën Helene në vitin 2018. Të tri marrëveshjet gëzojnë legjitimitet të fortë të brendshëm dhe ndërkombëtar dhe janë të pranuara dhe të mbështetura gjerësisht, me çka paraqesin model për vendet dhe shoqëritë e tjera dhe ofrojnë shembull me mësime dhe konkluzione të rëndësishme që do të mund të ishin të dobishme.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e nënshkruar në vitin 2001, jo vetëm që i qetësoi tensionet ndërmjet komuniteteve, por i hapi dyert për një shoqëri më harmonike multietnike gjithëpërfshirëse dhe kontribuoi në integrimin politik dhe shoqëror të të gjitha komuniteteve në vend. Së shpejti do ta shënojmë 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes dhe me bindje mund të themi se jemi pjekur, se animozitetet e vjetra që na ndajnë janë tejkaluar, dhe të gjithë ne, të bashkuar rreth perspektivës evropiane, po ndërtojmë një shtet me vlera demokratike dhe kulturë politike participuese. Miratimi i modelit të rregullimit të brendshëm politik dhe shoqëror të përcaktuar me Marrëveshjen e Ohrit, vendin e bëri një vend të hapur, më të fortë dhe më stabil. Sot, mund të jemi krenarë për gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike dhe të ardhmen e vendit. Ky model sot është simbol i njohjes së vendit tonë dhe prodhimi më i mirë politik për eksportim.
Marrëveshja me Bullgarinë, e nënshkruar në vitin 2017, i ngriti marrëdhëniet bilaterale me fqinjin tonë lindor në një nivel tjetër, duke reflektuar aspiratat e ndërsjella për thellimin e marrëdhënieve dhe për zgjerimin e bashkëpunimit. Përkushtimi ndaj miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit, i shprehur në Marrëveshje u mishërua mjaft qartë, ndërsa rezultatet mund të vëreheshin dhe të ndjeheshin shumë shpejt. E intensifikuam dialogun politik dhe hymë në fazën e komunikimit të hapur dhe të shpeshtuar. Bashkëpunimi ekonomik vazhdon të rritet, jemi partnerë për një numër të madh çështjesh – nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe punëve të brendshme, deri te arsimi, shkenca, kultura, mediet, shëndetësia, deri te infrastruktura dhe lidhja rajonale. Themelimi i Komisionit të përbashkët multidisiplinor për çështje historike dhe arsimorе ishte hap i rëndësishëm drejt krijimit të një platforme për debat, shkëmbim mendimesh dhe institucionalizim të dialogut ndërmjet komuniteteve akademike. Në praktikë, Marrëveshja e zhvendosi debatin për çështje historike pikërisht aty ku e ka vendin – në institucionet shkencore dhe akademike, për ta liruar politikën nga debatet e gjata sa i takon rëndësisë së personaliteteve dhe ngjarjeve të caktuara historike. Krahas çështjeve historike, që u janë lënë ekspertëve për t’u diskutuar, të dy vendet ranë dakord se do ta ndajnë të ardhmen si vende-anëtare të komunitetit evropian dhe euroatlantik. Jemi të bindur se përmes vullnetit të mirë, dialogut të hapur dhe qasjes konstruktive nga të dy palët, do t’i tejkalojmë të gjitha sfidat para nesh. Ndarja e procesit në dy pjesë, historia – historianëve ndërsa politika – politikanëve, vlerësojmë se do të jetë ekuilibër i mirë i një kulture të re strategjike ku rezultantet e fituar nga e kaluara dhe e ardhmja, do të garantojnë një hap të sigurt, pa e humbur vizionin për të ardhmen.
Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar para tri vitesh, shënoi një perspektivë të re nën diellin e Ballkanit. Dy vende fqinje, të gërmuar në anë të kundërta të kontestit, të vjetër pothuaj 30 vite, arritën t’i zgjerojnë kufijtë e së mundshmes, treguan mënyrë të re të vështrimit të njëra-tjetrës, dhe dëshmuan se e meritojnë të jenë pjesë e familjes së vendeve evropiane demokratike. Prespa u bë simbol i dialogut të hapur, i zgjidhjes së kontesteve dhe i kapërcimit të vetvetes dhe të interesave vetanake të ngushta dhe afatshkurtra. Prespa dëshmoi se ekziston edhe rrugë tjetër – rrugë e cila është e hapur për të gjithë ata që kanë vullnet të mirë, pjekuri dhe aftësi për të marrë vendime të vështira për të mirën e të gjithëve.
Në Prespë manifestuam gatishmërinë tonë për t’u kuptuar, për të bërë kompromis dhe për të gjetur zgjidhje që është e pranueshme për të gjitha palët dhe që është e qëndrueshme në plan afatgjatë. Në Prespë, fituan të dy vendet dhe nuk humbi askush. Maqedonia e Veriut fitoi mik dhe partner, ndërsa u hap edhe e ardhmja jonë drejt NATO-s dhe BE-së. Republika Helene fitoi fqinj dhe partner me fqinjin e saj, dhe e konfirmoi rolin e saj promotor të përkushtuar dhe mbështetës të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mbyllëm një kapitull të rëndësishëm që me dekada të tëra i shpenzonte kapacitetet dhe kapitalin tonë diplomatik. Përnjëherë, na u lehtësua, u bëmë të lirë për t’u përqendruar në ndërtimin e projekteve konkrete me partnerin tonë të ri dhe për ta shfrytëzuar energjinë tonë në mënyrën më pozitive dhe më konstruktive të mundshme, në dobi të qytetarëve tanë.
Sot vendi ynë është një vend stabil, e përmirësuam imazhin dhe i hapëm dyert drejt së ardhmes euro-atlantike të vendit dhe rajonit. Progresi që e kemi arritur ka qenë fryt i angazhimit serioz, vullnetit të mirë dhe qëllimeve të sinqerta. Megjithatë kjo nuk ka qenë e lehtë. Ka pasur trysni të fuqishme dhe momente kur duhej të merreshin vendime të vështira. Vetëdija për rëndësinë historike të periudhës në të cilën ishim, të bindur se po krijojmë ardhmëri dhe se po u hapim mundësi qytetarëve tanë, ishte ajo që e mundësoi këtë progres.
Vetë thelbi i të tri marrëveshjeve gjendet në bindjen e thellë se paqja është më e mirë se lufta, se gjeneratat e ardhshme janë më të rëndësishme se zgjedhjet e ardhshme dhe se kompromisi i vërtetë që na lëviz përpara, është më i mirë se fitorja e rreme që na tërheq mbrapa. Konkluza dhe zbatimi i marrëveshjes mbështeten në vullnetin e mirë, përpjekjet e përkushtuara, këmbënguljen dhe besimin e fortë në të ardhmen tonë të përbashkët në Evropë, të bashkuar në liri dhe paqe.
Perspektiva evropiane dhe euroatlantike e vendeve të Ballkanit Perëndimor, rendi dhe stabiliteti i brendshëm politik, tejkalimi i kontesteve bilaterale dhe bashkëpunimi rajonal, janë të lidhura ngushtë dhe të varura nga njëri-tjetri. Të dy proceset e plotësojnë dhe e përforcojnë njëri- tjetrin. Përparimi në rrugën e integrimit u jep nxitje të fortë reformave të brendshme aq të nevojshme, shtysë të fortë për tejkalimin e kontestit bilateral dhe intensifikim të bashkëpunimit rajonal.
Në këto kohëra kur idetë për skenarë alternativ për të ardhmen e Ballkanit qarkullojnë përsëri, është e qartë se dobësimi i perspektivës evropiane nënkupton riaktualizim të ideve të vjetra, retrograde, që nuk premtojnë asgjë të mirë për askënd. Që këtu buron iniciativa për promovimin e modelit tonë, si mënyrë për tejkalimin e kontesteve dhe me këtë të kontribuohet në paqe, stabilitet dhe siguri rajonale dhe të përshpejtohet procesi i integrimit evropian të gjithë rajonit. Jam optimist, por jo edhe naiv, kur besoj se një ditë, pikërisht këtu në Shkup, do të ngritët një qendër shkencore për zgjidhjen e konflikteve dhe modeleve të funksionimit të shteteve dhe shoqërive të fragmentuara, multietnike dhe multireligjioze.